Muxhahedinët në Shqipëri rrahin gazetaren britanike
Një incident në kampin e Muxhahidinëve iranianë në Manzë të Durrësit nga ku është goditur një gazetare e mirënjohur britanike dhe ekipi i saj i xhirimit, është tentuar të mbahet sekret.
Por Shqiptarja.com ka mundur e zbuloje të gjitha detajet e këtij incidenti. Burime nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Antiterrori, në kushtet e anonimatit, tregojnë se incidenti ka ndodhur më 10 gusht. E gjithë ngjarja nuk është raportuar në komunikatat ditore të ngjarjeve kriminale nga policia, ndonëse përbën një skandal jo të vogël.
Ngjarja
Shqiptarja.com mëson se gazetarja Lindsey Hilsum, e shoqëruar nga producenti i saj, Darius Bazargan, kanë udhëtuar mëngjesin e 10 gushtit në drejtim të Manzës, në Qarkun e Durrësit, për të filmuar kampin.
Ata kanë qenë të shoqëruar nga një përkthyes shqiptar. Në momentin kur gazetarja Lindsey Hilsum ka qëndruar jashtë rrethimit të kampit, në pjesën e prapme të tij, duke u përpjekur që të shikonte brenda kampit, ajo është shtyrë, madje ndaj saj është ushtruar forcë nga policia private që merret me ruajtjen, si dhe nga disa iranianë.