75 Mall Live Search
10:11 / E Mërkurë, 22 Shkurt 2023 / B O

Muzeu që s’u bë kurrë, Istogu nuk e nderoj ashtu siç e proklamoj Rugovën

Tri vite më parë, përmes shtatores, Istogut iu kthye Ibrahim Rugova – lider ky i cili vinte pikërisht nga kjo komunë.

Pas dy vitesh punime, në vitin 2020, u përfundua memoriali i ish-presidentit. “U përfundua” së paku statuja dhe objekti në tërësi, pasiqë një hapësirë e rëndësishme në këtë memorial, muzeu, nuk u realizua kurrë.

Muzeu parashihej të ishte një pjesë e rëndësishme e memorialit, pasiqë nëpërmjet tij vizitorët e ndryshëm do të mund të shihnin në mënyrë figurative jetën dhe veprimtarinë e ish presidentit Rugova.

Përveç muzeut, poashtu ishte paraparë që memoriali do të ketë salla solemne, salla për konferenca, një sallë për shitje artizanale dhe hapësira të tjera që në fakt su bënë kurrë.

Edhe pse kanë kaluar tri vite, komuna e Istogut për habi ende është duke u marrë me ‘planifikime të hapësirës’. Së paku kështu thuhet në një përgjigje të dhënë shkurtimisht për IndeksOnline.

“Komuna e Istogut së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka bërë planifikimin e hapësirës së memorialit për Bibliotekë të qytetit dhe Muze, deri tash jemi në fazën e finalizimit të projektimit të pjesës së brendshme të këtij kompleksit” thuhet në përgjigjen e komunës së Istogut.

Punimet për Kompleksin Memorial “Ibrahim Rugova” në Istog kanë kushtuar 350 mijë euro. Kuvendi i Kosovës ka ndarë 200 mijë euro, ndërsa 150 mijë ka ndarë Komuna e Istogut. /IndeksOnline/