14:45 / E Enjte, 04 Korrik 2019 / indeksADMonline

Muzikë për sy dhe jo për vesh, modelet që paguhen nga 50 euro për klip

Jemi në kohën kur më shumë se vet teksti, zëri dhe kënga vlerësohen videoklipet, një trend ky në tërë botën jo vetëm në vendin tonë.

Prandaj shpesh edhe hasim në thënien “muzika shikohet dhe nuk dëgjohet”, kjo fjali krejtësisht e vërtetë.

Sot, secili mund të bëhet këngëtar, por të rrallë janë ata që adhurohen dhe krijojnë kualitet.

Veç teksteve që përmbajnë terma dhe gjuhë rrugësh, një rrezik tjetër po vjen edhe nga pamjet vizuele, përcjellë Indeksonline.

Sidomos gjatë stinës së verës, në këto videoklipe shohim makina të shtrenjta, alkool e droga, sikur të mjaftonte me kaq, por një shqetësim tjetër vjen nga përdorimi i figurës së femrës.

Në shumicën e këtyre projekteve muzikore, shohim femra, duke mos munguar as ato në moshë të mitur, të cilat shfaqen në veshje eksplicite, ndërsa kamerat fokusojnë trupat e tyre dhe hiret e tyre.

Ajo që është më ofenduese, është se modelet e reja në Kosovë dhe Shqipëri paguhen nga 50 euro e disa dhe më shumë për pjemarrje në videoklip, deri sa këngëtarët paguajnë me mijëra euro për një klip.

Kjo mënyrë e të ekspozuarit në videoklipe e reklama, shihet si një lloj hyrje në një treg të botës së modës, që do t’iu mundësonte atyre të depërtojnë dhe të marrin famë./Indeksonline/