75 Mall Live Search
17:02 / E Enjte, 21 Prill 2022 / A. M.

N1: Arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për arkivat

Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që të shkëmbejnë të dhëna arkivore që mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të zhdukur nga të dyja palët, raporton mediumi serb N1.

Informacioni do të jepet “me kërkesë” nga dy palët për qasjen në arkiva dhe jo automatikisht.

Kurse çështja e arkivave ishte njëra nga pengesat në dialog, teksa Serbia insistonte në “hapjen e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” kurse Kosova pretendonte se arkiva të UÇK-së nuk ekzistojnë, por vetëm ato të asaj periudhe.

Kujtojmë se të enjten është mbajtur takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të dialogut.

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë –Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimit me dy kryenegociatorët e të dyja shteteve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në lidhje me marrëveshjen për targa.

Në një postim në Twitter, Lajçaku ka shkruar se takimi i sotëm mes Kosovës dhe Serbisë është “në rrugë të mbarë”.

“Ne kemi një agjendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçaku.

Kujtojmë se sot, Kosovës dhe Serbisë u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.