13:06 / E Martë, 31 Mars 2020

Nafta arrin nivelin më të ulët në 18 vjet

Pandemia e koronavirusit ka përgjysmuar çmimin e naftës bruto në tregje. Të hënën, një fuçi natë bruto u shit nën 20 dollarë. Shkak për këtë rënie është pezullimi i punës në shumë kompani, bllokimi i trafikut ajror dhe i kufizimeve në vende të ndryshme nga shpërthimi i koronavirusit.

Çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare shënoi rënien më të madhe që nga vitit 2002, shkak është pandemia e koronavirusit. Në indeksin Brent të Britanisë, një fuçi naftë preku nivelin e 22.58 dollarëve të hënën, ndërsa në Indeksin e Teksasit Perëndimor çmimi për një fuçi arriti nën 20 dollarë.

Në krahasim me një muaj më parë çmimi pothuajse është përgjysmuar për shkak të ndalimit të punës së shumë kompanive apo pezullimit të prodhimit. Por në rënien e së hënës ndikoi edhe lufta midis Arabisë Saudite dhe Rusisë.

Kjo ndodhi kur Arabia Saudite nuk e bindi dot Rusinë për të reduktuar prodhimin ashtu siç anëtarët e OPEC-ut ranë dakord.

Kërkesa për transport ka rënë për shkak të pezullimit të fluturime në mbarë globit apo kontrolleve që kanë vendosur vende të ndryshme për të kufizuar trafikun rrugor. Edhe analistët bien dakord se shkaku kryesor janë masat kufizuese që kanë marrë vende të ndryshme.

Prodhuesit amerikanë të naftës janë goditur keq që nga fillimi i marsit, ndërsa tani janë shtuar thirrjet për uljen e prodhimit.

Shtetet e Bashkuara janë tani prodhuesi më i madh në botë i naftës.