21:01 / E Shtunë, 18 Janar 2020 / indeksADMonline

Nagavci: E drejta e propozimit të mandatarit i takon vetëm Lëvizjes Vetëvendosje!

Nënkyetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se sipas Kushtetutës e drejta e propozimit të mandatarit i takon vetëm Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan IndeksOnline.

Tutje, Nagavci ka sqaruar se sa i përket afatit kohor për propozimin e emrit të mandatarit të parë nga ana e LV Kushtetuta është e heshtur.

Derisa ceku dy nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nagavci ka thënë se Presidenti mund të dekretojë mandatarin vetëm pasi që LVV të propozojë atë.

Postimi i plotë:

Presidenti Thaçi duke qenë i anshëm dhe kundër LV!, po dëshiron të krijoj huti te qytetarët e presion tek LV! Në aspekt institucional, sipas Kushtetutës së Kosovës, ai nuk ka rëndësi e ndikim në procesin e krijimit të qeverisë.

Përkundër deklaratave dhe interpretimeve të ndryshme në lidhje me formimin e qeverisë, Kushtetuta e përcakton se të drejtën për të propozar mandatarin për formimin e qeverisë e ka vetëm LV!

”Presidenti cakton mandatarin për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”. (Kushtetuta e R.K. neni 84, parag.14).

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka zgjidhur dhe çështjen e shumicës së Kuvendit, e cila sipas interpretimit i takon LV! e cila ka të drejtën që t’i propozojë kandidatin për mandatar, Presidentit të Republikës. Presidenti mund të dekretojë mandatarin, vetëm pasi kjo të ketë ndodhur.

Më tutje Kushtetuta përcakton se , “nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.” (Neni 95 parag.4)

Pra çështja është e qartë dhe nuk ka nevojë që Presidenti i vendit të bëj presion apo të krijoj huti në kuptim të të drejtës për të propozuar mandatarin. Edhe në rastin e parë sikundër edhe në rastin e dytë, e drejta e propozimit të mandatarit i takon vetëm Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndërsa sa i përket afatit kohor për propozimin e emrit të mandatarit të parë nga ana e LV!, Kushtetuta është e heshtur.

Ky është argumenti i parë dhe i pakontestueshëm, kurse në favor të këtij interpretimi shkon edhe veprimi praktik i Presidentit, kur pas dorëheqjes së z.Haradinaj, iu drejtua z.Veselit si të parit të PAN-it për të propozuar kandidatin për kryeministër. Përgjigja ishte negative dhe vendi shkoi në zgjedhje.

Pra nuk ka mundësi për zgjidhje tjera. Qeveri të mandatuar nga LV! sipas kësaj që u tha ose zgjedhje të reja. E në interes të vendit është themelimi i institucioneve dhe fillimi i punës për çkapjen e shtetit, për luftimin e krimit e korrupsionit, për zhvillimin e vendit, pra është Qeveria Kurti.