75 Mall Live Search
13:25 / E Martë, 01 Mars 2022 / AR

Nagavci: E tronditur për nxënësin 14-vjeçar që mbeti i vdekur, presim që shpejt të zbardhet rasti

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, ka reaguar për vrasjen e nxënësit 14 vjeçar në Prishtinë, i cili u ther me thikë.

Ajo thotë se është e tronditur, ndërsa ka bërë të ditur se në komunikim me organet e rendit, është siguruar se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë.

”Jam e tronditur thellë nga ngjarja ku mbeti i vdekur nxënësi 14 vjeçar në Prishtinë. Kjo është një ditë e rëndë, një trishtim e dhembje e madhe që e ndjen secili prind, secili qytetar i Kosovës.

Sot, zemrat tona janë me familjen e nxënësit që u nis, por nuk arriti në shkollë!

Nga vizita në shkollë dhe në familje, në komunikim me organet e rendit, u sigurova se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë dhe presim që shpejtë të zbardhet rasti.

Si nënë, si mësimdhënëse, e si ministre, i lus të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, të jenë të kujdesshëm për sjelljet që mund të manifestojnë ata, t’i adresojnë problemet dhe vështirësitë që kanë, të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve sot e gjenerat që po krijojmë.

Si Qeveri e Kosovës, bashkë me organet kompetente të sigurisë, po punojmë që të krijojmë sa më shumë siguri për fëmijët në shkollë, në rrugë e kudo.

Puna jonë në këtë drejtim synon mekanizma koordinues funksional në nivel qendror, komunal e në nivel shkolle; sistem funksional të paralajmërimit të hershëm të braktisjes, parandalim të dhunës dhe dukurive negative; vetëdije të ngritur të institucioneve shkollore e komunale për adresimin sistemor të problemeve që e sfidojnë zhvillimin e fëmijëve; rritje e cilësisë së të dhënave për fëmijët braktisës, ata që janë në rrezik për braktisje, etj.

Tragjeditë si kjo e sotmja, ku ne humbëm një nxënës, janë alarm për gjithë shoqërinë që të bashkëpunojmë ngusht për të mirën dhe sigurinë e fëmijëve tanë!

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve, kolektivit të shkollës!

Pusho në paqe, Rijad Hyseni!”.