75 Mall Live Search
12:11 / E Martë, 17 Nëntor 2020 / Blerim

Nagavci: Vendit i duhen zgjedhje të reja, s’mund të ketë unitet pa legjitimitet

Arbërie Nagavci nga radhët e VV-së, njëherësh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, me një postim në FB ka thënë se s’mund të ketë unitet pa legjitimitet.

“Kurdo që lindë nevoja, thirrjet për unitet duhet të kenë qëllim dhe bosht. Pra, për çka po bashkohemi dhe rreth kujt?

Këto dy pyetje janë tepër të rëndësishme, sepse unitet ne kemi pasur edhe për çështje që në fund rezultuan të dëmshme për vendin.

Unitet ka pasur edhe për marrëveshjen me Serbinë, më 2013, rreth atëherë Hashim Thaçit kryeministër.

Unitet ka pasur edhe rreth formimit të Gjykatës Speciale, më 2015, përsëri rreth Hashim Thaçit kryeministër.

Unitet ka pasur edhe për demarkacionin me Malin e Zi, më 2017, rreth atëherë Ramush Haradinajt kryeministër e PAN-it koalicion qeverisës”, shkruan ajo.

Sipas saj unitet ka pasur edhe për rrëzimin e Qeverisë së Kurtit me 82 vota në mes të pandemisë këtë vit, rreth Hashim Thaçit president e Isa Mustafës lider të klubit të stërvjetëruar politik.

“Uniteti nuk mund të jetë qëllim në vetvete. Ai duhet të jetë instrument në shërbim të një qëllimi. Nuk mund të këtë unitet rreth atyre që nuk kanë legjitimitet, e aq më pak rreth atyre që janë përgjegjës dhe shkaktarë për situatën sot.

Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë e në dëm të saj nga ata që ishin dje e që vazhdojnë të jenë sot. Uniteti rreth klubit të stërvjetëruar politik do të ishte një tjetër gabim.

Vendit i duhen zgjedhjet të reja sa më parë që mundësojnë krijimin e një boshti legjitim e të duhur për unitet”, përfundon postimin Ngavaci./Indeksonline