75 Mall Live Search
22:38 / E Premte, 08 Maj 2020 / indeksADMonline

Nagavci: VV dërgoi komentet në Kushtetuese, Thaçi bëri shkelje flagrante dhe të shumëfishtë të Kushtetutës

Arbërie Nagavci nga VV, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se sot kanë dërguar komentet në Gjykatën Kushtetuese në mbështetje të kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për të vlerësuar dekretin antikushtetues të Presidentit të Republikës së Kosovës të datës 30 prill.

Ky është postimi i saj :


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë shkelje flagrante dhe të shumëfishtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke deformuar rendin kushtetues me devijimin nga përgjegjësia e tij për të shpërndarë Kuvendin pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, siç parashihet me Kushtetutë dhe siç ka qenë praktika kushtetuese e deritanishme në Kosovë.

Po ashtu, ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës kur jashtë autorizimeve të tij kushtetuese, ka përcaktuar arbitrarisht afate të cilat nuk i parasheh Kushtetuta e Kosovës, si dhe duke vlerësuar dhe interpretuar kokën veti se subjekti politikë që ka fituar zgjedhjet ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar mandatarin, ndonëse Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri në detyre e Kryetari i Lëvizjes z. Albin Kurti asnjëherë nuk kanë refuzuar e as nuk kanë hequr dorë nga propozimi i mandatarit.


Presidenti i Kosovës në kundërshtim me statusin e tij, rolin dhe funksionin, jashtë kompetencave të Presidentit e në kundërshtim të plotë me Kushtetutën ka nxjerrë dekretin përmes të cilit cakton një kandidat për Kryeministër që nuk është propozuar nga partia që ka fituar zgjedhjet. Me këto veprime, Presidenti i Kosovës, ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, si dhe ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Kosovës.

Faleminderit Blerim dhe Adnan për komentet profesionale dhe punën e shkëlqyeshme!