Napoli “blindon” tre futbollistë deri në vitin 2025

Pas blerjes së së Osimhenit, Napoli zyrtarizon disa rinovime të rëndësishme. Dy mbrojtësit anësorë, Giovanni Di Lorenzo dhe Mario Rui si dhe mesfushori Eljif Elmas, zgjatin aventurën e tyre nën hijen e Vezuvit.
Klubi napolitan ka njoftuar mbylljen e negociatave për tre lojtarët, të cilët kanë vendosur të mbrojnë ngjyrat e kësaj skuadre për 5 sezonet e ardhshme.
“Napoli zyrtarizon rinovimin e kontratës së Giovanni Di Lorenzo, Eljif Elmas dhe Mario Rui deri në vitin 2025”, – lexohet në njoftimin e Napolit.
I blerë verën e kaluar nga turqit e Fenerbahces, Elmas bindi menjëherë stafin teknik për cilësitë dhe vendosmërinë gjatë sezonit të kaluar. Gjithashtu të rëndësishëm janë hapat përpara të treguar nga Di Lorenzo, i cili fitoi grumbullimin në ekipin kombëtar.
Më në fund, kontributi i Mario Ruit është gjithnjë i çmuar. Portugezi tashmë ka shënuar 144 paraqitje në Serinë A, 11 asiste dhe tre gola.