17:27 / E Mërkurë, 19 Qershor 2019

NASA kap foton e asteroidit në distancën më të vogël deri më tani

Sonda kozmike OSIRIS – REx ka kapur kohët e fundit foton e asteroidit Bennu në distancën më të vogël deri më tani.

Fotoja me rezolucion të lartë tregon sipërfaqen e objektit, por gjithashtu një shkëmb të madh në anën jugore.

Fotografia u krijua më 13 qershor, kur sonda ishte në orbitë pranë asteroidit për herë të dytë.

OSIRIS i NASA-s për herë të parë hyri në orbitën e asteroidit më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Sipërfaqja e asteroidit ishte hartuar në detaje, dhe gjëra interesante janë vërejtur si dalin gurë nga sipërfaqja e tij, transmeton KosovaPress.

Sonda ende është duke bërë hartën e asteroidit, dhe aktualisht gjendet në distancë 0.6 kilometra prej tij. Kjo është hera e parë që një sondë kozmike ndodhet në distancën më të afërt nga ndonjë objekt në hapësirë.

OSIRIS-Rex do të mbetet në orbitë aktuale deri në mes të gushtit, ku do të vazhdojë të gjejë vendin më të mirë për të mbledhur mostrat e asteroideve. Procesi do të jetë mjaft i komplikuar, për shkak të sipërfaqes shkëmbore të asteroidit.

Ekipi që qëndron pas misionit kërkon që zona për marrjen e mostrave të jetë e lirë pa shkëmbinj, në mënyrë që mostrat të merren më lehtë. Marrja e mostrave është planifikuar për verën e vitit 2020.