NASA planifikon misionin e parë drejt Hënës pas 50 vitesh

NASA ka njoftuar se shpreson të dërgojë një grup astronautësh në një udhëtim dhjetë-ditor rreth Hënës në muajin shkurt të 2026.
Agjencia hapësinore amerikane më parë ishte zotuar për një nisje jo më vonë se fundi i prillit, por tani synon ta sjellë misionin përpara.
Siç shkruan BBC, kanë kaluar plot 50 vjet që kur ndonjë vend ka realizuar një mision drejt Hënës me ekuipazh. NASA do të dërgojë katër astronautë atje për të testuar sistemet.
Misioni Artemis II është lëshimi i dytë në kuadër të programit Artemis, i cili ka për qëllim të zbresë sërish astronautë në sipërfaqen e Hënës dhe më pas të krijojë një prani afatgjatë atje.
NASA planifikon misionin e parë drejt Hënës pas 50 vitesh
Lakiesha Hawkins, zëvendësadministratore në detyrë për NASA-n, tha se ky do të jetë një moment i rëndësishëm në eksplorimin njerëzor të hapësirës.
“Së bashku kemi një vend në rreshtin e parë të historisë“, u shpreh ajo në një konferencë për shtyp këtë pasdite. “Dritarja për nisjen mund të hapet që në 5 shkurt, por duam të theksojmë se siguria është prioriteti ynë kryesor.”
Drejtoresha e Nisjes së Artemis, Charlie Blackwell-Thompson, tha se raketa e fuqishme e ndërtuar për të dërguar astronautët në Hënë, e quajtur Space Launch System (SLS), është pothuajse gati për nisje.
Misioni i parë i Artemis zgjati 25 ditë dhe përfshinte lëshimin e një anijeje pa ekuipazh në nëntor të vitit 2022. Raketa udhëtoi rreth Hënës dhe u rikthye në atmosferën e Tokës.
Misioni ishte shumë i suksesshëm, megjithatë pati disa probleme me mburojën termike gjatë rikthimit në atmosferë. Këto probleme janë adresuar tashmë. Ndërsa Artemis II do të dërgojë katër astronautë në një udhëtim dhjetë-ditor drejt Hënës dhe mbrapsht në Tokë. Ata janë: Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch nga NASA, dhe Jeremy Hansen nga Agjencia Kanadeze e Hapësirës. Ata nuk do të zbresin në Hënë, por do të jenë ekuipazhi i parë që do të udhëtojë përtej orbitës së ulët të Tokës që nga misioni Apollo 17 në vitin 1972.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.