15:12 / E Enjte, 27 Maj 2021 / OSH

Naser Pajazitaj para 29 viteve vrau një 15-vjeçar për hakmarrje

Naser Pajazitaj nga fshati Strellc i Deçanit është shpallur sot fajtor për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj. Për vrasjen e kryer në vitin 2015, Naser Pajazitaj është dënuar me burgim të përjetshëm. Pajazitaj ka qenë edhe më herët i dënuar për vrasje. Express ju sjell detaje

Gjykata Themelore në Ferizaj sot e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i cili më 9 nëntor të vitit 2015 në bjeshkët e Strellcit ka vrarë me armë zjarri kushërirën e tij, Donjeta Pajazitaj.


“Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave, dëgjimit të palëve, të pandehurin N.P. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Por, në vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, bëhet e ditur se Pajazitaj ka qenë i dënuar edhe më parë për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Kjo e dhënë figuron edhe në një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Pejë të publikuar më 2 nëntor të vitit 2020.

Pajazitaj kishte vrarë një 15-vjeçar, siç thotë Gjykata “për shkak të hakmarrjes së paskrupullt për vrasjen e vëllait të tij, raporton express.

“Gjithashtu gjykata gjen se edhe pika 1.12 është përmbushur me faktin se i akuzuari kishte qenë i dënuar më herët për vepër penale të vrasjes nga neni 47 al. 2 pika 4 të LPS (Ligji penal i Serbisë). Në vitin 1992 i akuzuari e kishte vra një fëmijë 15 vjeçar për shkak të hakmarrjes së paskrupullt për vrasjen e vëllait të tij, dhe për këtë është dënuar me 20 vite burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Naser Pajazitaj ishte dënuar me 20 vjet burgim, pasi aktgjykimi ndaj tij ishte vërtetuar në tri shkallët e procedurës ankimore.

“Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë P.nr.23/92 të datës 26.10.1993 i akuzuari ishte dënuar me dënim burgu prej 20 viteve për vepër penale të vrasjes nga neni 47 alinea 2 pika 4 e Ligjit Penal të Serbisë (ligj në fuqi në atë kohë). Aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Serbisë me numër KZH.I.1535/93, i datës 18.03.1994, si dhe në shkallë të tretë me aktgjykimin KZH.III.7/94, i datës 20.04.1995”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Pejës.

Ndryshe, Naser Pajazitaj sot u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.