Nata e Vitit të Ri kalon me disa incidente, policia jep detaje
Policia e Kosovës ka zbatuar një plan operativ me masa të shtuara sigurie gjatë festës së ndërrimit të mot-moteve, me qëllim të garantimit të rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve në mbarë vendin.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia ka rritur prezencën në lokacione ku pritej përqendrim më i madh i qytetarëve, ndërsa “është paraparë shtimi i masave të sigurisë dhe prezencës policore në lokacione apo ambiente ku pritej të ketë përqendrim, festime apo prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festës”.
Në kuadër të këtij plani operativ, Policia ka pasur fokus të veçantë edhe në trafikun rrugor, pikat e kalimit kufitar dhe aeroportin ndërkombëtar.
“Është paraparë kujdes i shtuar në mbikëqyrjen dhe kontrollin në trafikun rrugor, menaxhimin e Pikave të Kalimeve Kufitare përfshirë aeroportin ndërkombëtar dhe brezit kufitar në përgjithësi”, thuhet në njoftim.
Bazuar në raportimet nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e Vitit të Ri ka kaluar me disa incidente të izoluara.
Policia njofton se “janë raportuar incidente me lëndime trupore si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piro-teknike, raste të lëndimeve të lehta nga armë zjarri dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike (zjarre)”.
Tutje, Policia e Kosovës thekson se të gjitha rastet e raportuara janë dhe do të trajtohen në koordinim me prokuroritë kompetente.
“Policia i ka iniciuar dhe do të vazhdojë t’i trajtojë të gjitha ato raste qofshin vepra penale apo incidente tjera dhe rastet në koordinim me prokurorit kompetente do të përcillen te organet e drejtësisë”.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka uruar qytetarët për Vitin e Ri, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e treguar.
“Gëzuar Vitin e Ri 2026, qoftë ky vit i suksesshëm për ju, shëndet, paqe e siguri! Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe besimin e treguar ndaj nesh”, thuhet në njoftim.

