07:19 / E Mërkurë, 22 Shtator 2021 / OSH

Nata në Jarinjë kaloi e qetë

Nata në Jarinjë ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Numri i protestuesve serbë gjatë natës është zvogëluar edhe për shkak të temperaturave të ulëta të cilat kanë qenë, megjithatë një numër i tyre ka qëndruar aty edhe mbrëmë, ashtu si një natë më herët, rreth një zjarri që kanë ndezur.

Mbrëmë, ndryshe nga nata e parë, protestuesit nuk kanë bërë thirrje e as nuk kanë kënduar këngë nacionaliste.

Gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, që gjatë natës ka qëndruar në Jarinjë ka raportuar se e vetmja lëvizje që ka qenë gjatë natës në këtë pikë kufitare ka qenë ndërrimi i policëve të Njësisë Speciale të Kosovës që ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës.

Në ndërkohë rrugët të cilat çojnë në Jarinje, ashtu si edhe në pikëkalimin tjetër kufitar Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara me një kolonë të gjatë të makinerive të rënda që janë vendosur aty nga protestuesit.