75 Mall Live Search
21:50 / E Mërkurë, 26 Qershor 2024 / MSH

Natë e gjatë për Dragashin, Xheladini thotë se vërshimet kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme

Reshjet e dendura të shiut sot bënë që në komunën e Dragashit të ketë vërshime të jashtëzakonshme.

Disa fshatra janë prekur më shumë nga këto vërshime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Kryetari i kësaj komune, Bexhet Xheladini, deklaroi se janë duke u identifikuar dëmet dhe incidentet eventuale.

“Ne jemi në terren prej kur ka ndodhur ngjarja. Kemi aktivizuar shërbimin shëndetësor, atë të zjarrfikësve dhe shërbimin emergjent. Kemi aktivizu edhe kompani private, të cilat janë duke u marrë me sanimin e gjendjes” tha Xheladini për Indeksonline.

Ai thotë se gjendja aktuale është stabile, meqë kanë pushuar reshjet e shiut, por që dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha.

Fshatrat më të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore janë Kuk, Bresanë, Kosavë dhe Pllajnikë, derisa në Blaç dhe Zaplluxhe ka dëme pak më të vogla.

“Në terren kemi edhe ekipe me ekskavatorë sepse janë bllokuar urat. Uji ka dalë jashtë shtratit dhe ka përfshirë rrugët e fshatrave. Shumë familjeve uji u ka hyrë nëpër shtëpi dhe bodrume. Në fshatin Kuk, ka nxjerrë jashtë kontrollit krejt kanalizimin dhe ujësjellësin, si dhe ka dëmtuar shtyllat elektrike. Ka dëme edhe në bujqësi e blegtori” shtoi Xheladini.

Kryetari i Dragashit deklaroi se primare për ta momentalisht është zhbllokimi i lumenjve, sepse janë mbushur me rërë, drunj, gurë dhe bërllok të bartur nga vërshimet.

Ai deklaroi se ka kontaktuar me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe me drejtorin e Shërbimeve Publike për të ndarë detaje mbi gjendjen, teksa të njëjtëve pritet t’u përcjellë edhe raporte mbi dëmet e sanuara.

Nga Drejtoria për Shërbime Publike në Prizren, Xheladini thotë se ka kërkuar pompa dhe mekanizma në dispozicion për t’i ndihmuar familjet e prekura të nxjerrin ujin nga shtëpitë.

Kryetari deklaroi gjithashtu se nesër do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme me drejtorët e Komunës, ku do të vendoset mbi shpalljen apo jo të gjendjes emergjente si dhe për hapat që do të ndërmerren tutje.

Fatmirësisht, nuk ka dëme me njerëz nga e gjithë kjo situatë./Indeksonline/