75 Mall Live Search
17:28 / E Hënë, 10 Tetor 2022 / AR

NATO dënon sulmet ruse, Stoltenberg: Me Ukrainën, për aq kohë sa do të duhet

Qeveria vendosi zgjatjen e gjendjes së emergjencës së energjisë elektrike deri më 30 qershor të vitit 2023.

Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Më parë gjendja e emergjencës ishte vendosur deri më 31 dhjetor 2022.

Njoftimi i plotë:

V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 8.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “ç”, e 5, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1.Vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”.

2. Në pikën 5, fjalët “… 31 dhjetor 2022.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2023.”.

3. Në pikën 6, pas fjalëve “… “OSHEE Group”, sh.a., …” shtohen “… FTL, sh.a., dhe ERE …”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Kujtojmë se disa ditë më parë, Enti Rregullator i Energjisë Mori mori vendimin për vendosjen e fashës 800 kW/h në nëntor të këtij viti, si një paketë për të përballuar krizën energjetike.

Më herët ERE kishte parashikuar që duke filluar nga 1 tetori, në kushtet ku një familje shpenzonte më shumë se fasha 800kW/h në muaj, një kilovat do të llogaritej me 42.85 lekë në vend të 11 lekë/ kilovat që është aktualisht.

Teksa ERE kishte marrë vendimin që më 1 tetor të ndryshonte fasha e energjisë, kryeministri Edi Rama u tërhoq duke u shprehur se gjatë kësaj kohe ka pasur shtim të kuotës në Fierzë për shkak të shirave dhe se qytetarët kishin kursyer.

Fashat e energjisë mbi 800 kilovat/orë në muaj pritej të preknin vetëm 4-8% të abonentëve familjarë, ndërsa do t’i jepnin 15.5 milionë euro më shumë kompanive energjetike për të blerë energji.

Ndërkohë gjatë tetorit është vënë re edhe një ulje e çmimeve të importit. Kështu në datat 8 -9 tetor, KESH e siguroi energjinë me çmim 255 euro, 50% më i ulët se i një jave më parë.