75 Mall Live Search
15:36 / E Hënë, 23 Qershor 2025 / mp

NATO i kërkon Serbisë t’i nxjerrë para drejtësisë grupin e Banjskës dhe personat që kishin sulmuar KFOR’in në Zveçan

NATO vazhdon të kërkojë nga autoritetet e Serbisë që të ndjekin penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë gjatë vitit 2023.

Kështu deklaroi një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore, një ditë para fillimit të samitit të NATO-s që mbahet në Hagë.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë”, u shpreh zyrtari për gazetarët.

Ai përmendi sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, që ndodhi në maj 2023 para ndërtesës së komunës së Zveçanit, si dhe sulmin në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit.

Sipas zyrtarit, Ballkani Perëndimor mbetet një “rajon me rëndësi strategjike” për NATO-n dhe qëndron “lart në agjendën” e aleancës.

“Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga vullneti i palëve për të zgjedhur dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike”, theksoi ai.

Zyrtari përkujtoi se NATO mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkan që nga vitet 1990 dhe se përkushtimi i aleancës “mbetet i fuqishëm” dhe nuk do të lejojë krijimin e “vakumit të sigurisë”.

Ai konfirmoi përkrahjen e NATO-s për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura, me respektim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.

“Jemi në kontakt të ngushtë me përfaqësuesin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, dhe presim që të dyja palët të angazhohen me vullnet të mirë”, tha ai.

Ai shtoi se misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e vet në mënyrë të paanshme dhe në çdo moment.

“Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, kemi vendosur mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe kemi rritur praninë e KFOR-it në veri. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit në dhjetëvjeçarin e fundit”, deklaroi ai.

Samiti dyditor i NATO-s fillon nesër në Hagë dhe pritet që udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të arrijnë marrëveshje për rritje të ndjeshme të investimeve në mbrojtje, shtim të prodhimit industrial në sektorin e mbrojtjes dhe për të konfirmuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin besohet se do të qëndrojë vetëm shkurtimisht në samit, ka kërkuar nga aleatët që të bien dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në pesë për qind të bruto produktit të brendshëm.