NATO-ja e gatshme për “mbështetje afatgjate” për Ukrainën, thotë Stoltenberg

NATO-ja nuk e furnizon zyrtarisht Kievin me armë vdekjeprurëse ushtarake. Por vende individuale të NATO-s ka kohë që e furnizojnë atë përmes Grupit të Kontaktit për Ukrainën (UCG), një nismë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e cila joformalisht njihet si Grupi Ramshtajn.
“Ne do të bisedojmë si ta ruajmë dhe përshpejtojmë mbështetjen për Ukrainën. Unë kam propozuar që NATO-ja të luajë rol më të madh në bashkërendimin e furnizimit me ndihmë të sigurisë dhe stërvitje për Ukrainën. Kam propozuar gjithashtu edhe një zotim financiar shumëvjeçar, për të garantuar më shumë llogaridhënie dhe parashikueshmëri në mbështetjen që ia ofrojmë Ukrainës”, tha Stoltenberg.
Ministrat me gjasë do të bisedojnë për lejimin e Kievit që t’i përdorur armët me të cilat e furnizon Perëndimi për të kryer sulme brenda Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania u pajtuan që Ukraina t’i përdorë armët e tyre për një gjë të tillë, por me kusht të caktuara.
Kievi ka “të drejtë me ligj ndërkombëtar ta mbrojë veten” kundër sulmeve që i bëhet prej Rusisë, afër kufirit me Ukrainën, tha Steffen Hebestreit, zëdhënësi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ndërkohë, sqaroi se Ukrainës i lejohet t’i përdorë armët e saj “vetëm për t’i luftuar sulmet ruse” në rajonin e Harkivit, i cili është duke u sulmuar pareshtur nga Rusia javët e fundit.
Stoltenberg e përsëriti të premten se aleatët duhet ta shqyrtojnë heqjen e kufizimeve për përdorimin e armëve të NATO-s nga Ukraina për t’i goditur caqet në territorin rus, sepse është pjesë e së drejtës së Kievit për vetëmbrojtje.