75 Mall Live Search
12:23 / E Enjte, 20 Shkurt 2025 / FR

NATO-ja reagon për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova

NATO-ja ka deklaruar mbi tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova, duke theksuar se po përshtaten vazhdimisht me ndryshime, një pjesë e asaj që sipas tyre, është e nevojshme për të qëndruar gati dhe për të siguruar mbështetje të fuqishme për sigurinë dhe stabilitetin në rajone kyç.

Një zyrtar i NATO-s, ka thënë se SHBA-ja e kishte bërë të qartë se pret që aleatët e NATO-s të investojnë dhe të kontribuojnë më shumë në sigurinë e përbashkët.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara plotësisht në Aleancën Veriatlantike dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në misionin paqeruajtës në Kosovë.

“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme. Si pjesë e kësaj, SHBA-ja e ka bërë të qartë gjithashtu pritjen e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët. NATO-ja po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati”, thuhet në përgjigjen e NATO-s për Dukagjinin.

Referuar listës së vendeve që kanë trupa ushtarake në Kosovë, janë më shumti nga Italia me 1 mijë e 258, ndërsa SHBA-ja ka 602.

Ndryshe, të enjten ushtarë nga shumë kombe të caktuar në Komandën Rajonale të Lindjes të KFOR-it u bënë bashkë për një marshim në kampin “Bondsteel”.

Lidhur me këtë, misioni paqeruajtës i Aleancës Veriatlantike në Kosovë, përmes një njoftimi ka theksuar se trajnimi së bashku i mundëson KFOR-it të jetë më i fortë së bashku, duke punuar për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet e Kosovës.

Po ashtu, KFOR-i ka potencuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij , bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Forcat ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, punojnë koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.