75 Mall Live Search
10:14 / E Premte, 17 Shtator 2021 / OSH

NATO për afganët e evakuuar nga Kosova: Ne qëndrojmë të fokusuar tek ata që mbeten në kujdesin tonë

Mbi 100 afganë të cilët ishin punonjës të NATO-s dje u nisën nga objektet e përkohshme në Kosovë për në Mbretërinë e Bashkuar me një fluturim ajror civil nga Prishtina, transmeton IndeksOnline.

“Angazhimi i NATO -s është të sigurojë një transferim të sigurt të evakuuarve, përmes vendndodhjeve të përkohshme dhe drejt zhvendosjes më definitive. Ishte një përpjekje e madhe, dhe aleatët dhe partnerët janë bërë bashkë për ta bërë atë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Admirali Robert Burke, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate.

“Ne dëshirojmë që kolegët tanë afganë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar sa më mirë kur fillojnë një kapitull të ri, pasi ne qëndrojmë të fokusuar tek ata që mbeten në kujdesin tone”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Të evakuuarit po largohen nga një vend i përkohshëm në Kosovë, ku trupat e Forcës së Reagimit të NATO -s po ndihmojnë për të siguruar strehim, kujdes dhe mbështetje.

Mbi 300 trupa të Forcave të NATO-s po merreshin me operacionin.

Kurse, më shumë se 20 vende aleate po kontribuojnë në përpjekjet e evakuimit, duke siguruar avionë transporti, pajisje ndërtimi, ambulanca, ekipe mjekësore, ekipe të çështjeve civile dhe personel të sigurisë.

Ndërsa disa afganë përfundojnë zhvendosjen e tyre, procesi vazhdon për të tjerët. Rreth 2,000 afganë që punuan me NATO -n dhe familjet e tyre, u evakuuan nga Kabuli në gusht, si pjesë e misionit më të madh të evakuimit në historinë e NATO -s. NATO punoi gjatë gjithë kohës për të koordinuar evakuimet. Gjatë dy javëve, më shumë se 120,000 njerëz u dërguan jashtë, në qindra fluturime aleate. Trupat nga SHBA, Britania e Madhe, Turqia dhe Norvegjia luajtën një rol kyç në sigurimin e aeroportit dhe funksionimin e një spitali në terren, ndërsa rreth 800 punonjës të NATO -s mbanin operacionet kryesore si karburanti dhe komunikimet./IndeksOnline/