19:41 / E Premte, 27 Shtator 2019 / indeksADMonline

Natyra Kuçi në Deçan: AAK-PSD është garancë për 100% shtet

Koalicioni AAK-PSD është pritur në mënyrë madhështore në Deçan. Para mijëra simpatizantëve, përfaqësuesit e koalicionit kanë shprehur falënderim për mbështetjen e fuqishme dhe janë deklaruar se 6 tetori do të jetë ditë e fitores.

Para qytetarëve të Deçanit, kandidatja për deputete nga kjo komunë dhe zëdhenësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se fitorja e koalicionit AAK-PSD është garancë për Kosovën shtet 100%.

“100% guxim, 100% dije dhe 100% angazhim – kjo është ajo që i nevojitet vendit tonë dhe ajo që aleanca jonë është e gatshme të japë. Ky është premtimi ynë dhe kjo është detyra jonë. Më 6 tetor do të vendosni, në cilin drejtim shkon Kosova”, ka thënë Kuçi.

Ajo ka qenë e ashpër edhe ndaj partive te tjera.

Kuçi ka shtuar tutje se Kosova nuk mund të vazhdojë me qeverisje të PDK-së, e cila është fajtore për gjendjen në vend. Për LDK-në ajo shtoi se ka fytyrë të re aktualisht, por tha se pas timonit të saj qëndrojnë fytyrat e vjetra të kësaj partie. Kurse, për VV-në, Kuçi tha se Kosova nuk ka komoditet të eksperimentojë me të ardhmen.