14:37 / E Premte, 23 Prill 2021 / OSH

Navalny ndërpren grevën e tij një javore të urisë

Kritiku dhe opozitari i Vladimir Putinit, Alexey Navalny tha të premten se do të ndërprejë grevën e tij një javore të urisë.

Njoftimi ka ardhur pasi opozitari rus ishte transferuar në një burg spitalor shkaku i përkeqësimit të shëndetit të tij, shkruan CNN.

“Unë nuk e tërheq kërkesën time për të pranuar mjekun që është i nevojshëm për mua – po humbas ndjeshmërinë në pjesë të duarve dhe këmbëve dhe dua të kuptoj se çfarë është dhe si ta trajtoj atë, por duke marrë parasysh progresin dhe të gjitha rrethanat, unë kam filluar të dal nga greva e urisë, “tha Navalny në një mesazh të ndarë nga ekipi i tij në Instagram.

Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, njoftoi të mërkurën e kaluar se është futur në grevë urie.

Navalny është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Ai është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.

Navalny ka thënë se atentati kundër tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navlny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve.

Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg.

Gjendja shëndetësore e tij është nxjerrë në pah javën e kaluar nga aleatët e tij.

Navalny ka thënë se vuan nga dhimbje të forta në shpinë dhe se autoritetet e burgut nuk janë duke bërë asgjë për të zgjidhur problemin.

Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa zyrtarë rusë për, siç është thënë, përfshirje në helmimin e Navalnyt.

Rasti i tij ka shkaktuar edhe një valë protestash në Rusi.