75 Mall Live Search
19:20 / E Diele, 30 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Ndahet medalja “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” për familjen Jashari

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati gjatë manifestimit të Ditës së Veteranit ka folur për sfidat dhe problemet me të cilat veteranët janë përballur deri në ditët e sotme, si dhe punën e shoqatave të dala të luftës për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

“Sot edhe pas 20 vitesh të përfundimit të luftës po përballemi me sfida të padrejta. OVLUÇK duke mos u pajtuar me padrejtësitë ka bërë dhjetëra reagime dhe ka lëshuar qindra komunikata, ka organizuar shumë protesta dhe të gjitha këto i ka bërë për mbrojtjen legjitime të veteranëve të luftës së UÇK-së dhe luftës çlirimtare”, ka thënë ai.

Ndërsa, Baca Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kërkoi që të tregohemi vigjilent dhe çdo përballje të mundshme me armikun t’i përgjigjemi sikur në të kaluarën.

“Urime të gjitha me të mira për shtetin dhe kombin tonë. Shpresoj që kurrë e keqe të mos i ndodh këtij populli dhe vendi, por gjithmonë duhet të jemi vigjilentë dhe çfarëdo që të ndodhë t’i përgjigjemi qysh iu kemi përgjigjur edhe më herët”, porositi ai.

Për nder të kësaj dite, kryeministri Haradinaj ka ndarë medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu për familjen Jashari në shenjë respekti për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, për shërbim jetësor për veteranët e luftës së UÇK-së është nderuar Faton Klinaku.

Po ashtu, për kontribut jetësor në shërbim të veteranëve të luftës është nderuar me medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Avdyl Mushkolaj, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Deçan.

Gjatë ditës, OVL UÇK ka organizuar homazhe në Prekaz e gjithashtu degët e kësaj organizate kanë organizuar homazhe nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë.

Dita e Veteranit shënohet për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

Ndryshe, më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së.