Ndalimi i shpendëve të gjalla nga Durrësi, ja kur ishte rasti i fundit me grip të shpendëve në Kosovë

Në Shqipëri është përhapur me të madhe gripi i shpendëve, ku deri tani kanë ngordhur 338,426 shpendë, kryesisht pula.
Për këtë shkas, sot Republika e Kosovës ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla nga shteti i Shqipërisë për regjionin e Durrësit.
Kështu ka konfimuar për IndeksOnline, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterenarisë, Lamir Thaçi.
“Bazuar në raportin e OIE është lajmëruar prezenca e Sëmundjes Gripi i Shpezëve tipi H5N8 në Shqipëri zona e Durrësit. Dje me datën 21.03.2022 është bërë ndalesa e importit nga shteti i Shqipërisë për regjionin e Durrësit kafshëve te gjalla(shpezëve) kjo bazuar në ligjin e veterinarisë dhe rregulloren për luftimin e kësaj sëmundje. Si masë parandaluese. Po ashtu jemi në kontakt me autoritetin shqiptarë për informata në vazhdimësi lidhur me përhapjen e sëmundjes”, tha ai.
Thaçi tha se në Kosovë kjo sëmundje ka qenë e pranishme që nga viti i kaluar në pulat e oborreve, kurse rasti i fundit i paraqitjes së këtij gripi ka qenë në muajin shkurt.
“Në Kosove kjo sëmundje ka qenë prezentë nga muaji maj i vitit 2021 kur edhe i kemi rastet e para të konfirmuara në ekonomitë familjare apo ndryshe qe njihen si pula të oborreve. Pastaj nga muaji shtator i kemi rastet të shpërthimit të sëmundjes ne fermat komerciale por edhe në këtë vit rast i fundit ka qenë në muajin shkurt të këtij viti. Gjatë gjithë kohës shtabi i reagimit i formuar nga AUV ka qen aktiv dhe jemi duke e menaxhuar situatën. Për momentin nuk e kemi asnjë rast të lajmëruar si të dyshimtë”, pohoi ai.
“Deri më tani njoftimi është në fuqi vetëm për ndalesë në një zonë të prekur të Shqipërisë. Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqenies se Kafshëve AUV është duke monitoruar situatën në rajon dhe vend, varësisht nga lajmërimet qe bëhen në OIE, veprohet sipas ligjit”, përfundoi ai./IndeksOnline/