Ndalohet në Jarinjë një veturë me targa serbe, kosovarit i mirren gati 35 mijë euro

Dogana e Kosovës ka njoftuar se, bashkë me policinë, kanë realizuar një operacion në pikën kufitare në Jarinje, ku kanë ndaluar një veturë për kontroll dhe kanë hasur në mjete monetare të padeklaruara.
Sipas Doganës, vetura ishte me targa serbe, ndërsa drejtuesi i saj ishte shtetas kosovar.
“Për arsye të dyshimit të bazuar dhe informatave të siguruara përmes rrugëve operative, vetura në fjalë është selektuar për kontroll në vijën e dytë ku i është bërë kontrolli detal nga zyrtarët doganor dhe policor. Gjatë kontrollit të veturës janë zbuluar mjete monetare të pa deklaruara në shumën prej 34.720.00€. Për trajtim të mëtutjeshëm rasti në fjalë është trajtuar nga hetuesia e doganës dhe Prokurori i Prokurorisë Speciale” thuhet në njoftimin e Doganës.

Nga këto para, mbi 8 mijë euro janë konfiskuar, ndërsa mbi 26 mijë euro të tjera janë ndaluar për hetime.

“Bazuar në nenin 33 paragrafi 5 i ligjit 05/L-096 (Ligji per pastrimin e parave dhe luftimin e financimit te terrorizmit), palës i janë konfiskuar 25% apo 8,680.00€ e mjeteve të pa deklaruar, ndërsa 75% apo 26,040.00€ e mjeteve janë ndaluar me urdhër të Prokurorit për hetime të mëtutjeshme” thuhet tutje në komunikatë.
