75 Mall Live Search
09:01 / E Enjte, 27 Mars 2025 / L K

Ndalohet një person në Gjilanin, e detyroi viktimën t’ia jepte 50 mijë euro

Prokuroria Themelore e Gjilanit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas një hetimi intensiv dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka ndaluar të pandehurin D.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale: ‘’Detyrimi’’, nga neni 328 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Dyshohet se ai që nga 29 maji 2024, deri në momentin e arrestimit të tij, përmes kanosjes serioze, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka detyruar të dëmtuarin F.S., që t’i jepte shuma të ndryshme parash, ku bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit dyshohet se ka përfituar rreth 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro nga i dëmtuari.

Me vendim të prokurorit i pandehuri D.S. gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.