75 Mall Live Search
21:24 / E Martë, 01 Prill 2025 / MSH

Ndalohet për 48 orë i dyshuari që goditi këmbësoren në Pejë

Një aksident trafiku pasditen e sotme në Pejë rezultoi me lëndimin e një vajze.

Në fshatin Qyshk, Z.Gj., 27-vjeçare, u godit nga një shofer, i cili raportohet të jetë zyrtar policor, shkruan IndeksOnline.

Ky i fundit është ndaluar për 48 orë.

“Prokurori i shtetit, bashkë me Inspektoratin Policor, kanë dalur në vend të ngjarjes. Lidhur me këtë rast janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Personi i dyshuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë për veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’”, ka pohuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Ndërkohë, nga mediat e shkruara u raportua se viktima ka ndërruar jetë.

Një gjë të tillë e ka demantuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi tha për IndeksOnline se viktima së pari është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, për t’u bartur më pas me autoambulancë për në QKUK.

Gashi konfirmoi se viktima është ende duke u trajtuar në QKUK dhe, pavarësisht se gjendja e saj shëndetësore është e rëndë, ajo nuk ka ndërruar jetë./IndeksOnline/