75 Mall Live Search
16:31 / E Shtunë, 19 Korrik 2025 / Gj. Sh

Ndalohet për 48 orë zëvendësi i Petkoviqit, e quajti UÇK-në “terroriste”

Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviq, është urdhëruar të ndalohet për 48 orë, pasi u ndalua një ditë më parë sepse foli kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Rahovec.

Kjo u konfirmua për REL nga zëvendës drejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, i cili theksoi se Popoviqi duhet të dalë para një gjykatësi brenda 48 orëve, i cili do të marrë pastaj vendimin për paraburgim ose lirim.

Zyra për Kosovën në qeverinë serbe udhëhiqet nga Petar Petkoviq.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka komentuar rastin Igor Popoviqit, i cili u ndalua mbrëmë në pikën kufitare të Bërnjakut nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sveçla deklaroi se Popoviqi do të përballet me drejtësinë.

“Do të përballet me drejtësinë, ka bërë një vepër penale, të qëllimshme dhe të papranueshme për ligjin, rendin dhe kushtetueshmërinë të vendit. Do të përballet me ligjin”.

Siç është bërë e ditur në një njoftim të policisë, Igor Popoviq që shërben si ndihmësdrejtor në zyrën që udhëhiqet nga Petar Petkoviqi, gjatë një fjalimi të mbajtur në fshatin Hoqë e Madhe të Rahovecit, e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste dhe ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

Gjatë procedurave hetimore, si prova materiale janë sekuestruar përkohësisht dy telefona celularë të të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.