Ndalohet zyrtari i dyshuar për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim dokumentesh

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ndaluar një person të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK-Prizren), dyshimet janë ngritur pasi një grup prej 39 personash kanë paraqitur kërkesa për marrjen e parcelave në shfrytëzim nga Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), ndërsa është konstatuar se ato kërkesa nuk janë përpiluar dhe as nënshkruar nga personat në emrat e të cilëve figurojnë dokumentet.
Nga hetimet është vërtetuar se i dyshuari, duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat me qëllim përfitimi, duke marrë para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për përfitimin e pronave me qira nga APK.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Vepra penale për të cilat ai po mbahet:
• Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar
• Falsifikim i dokumenteve
Policia ka njoftuar se hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.