18:02 / E Martë, 05 Korrik 2022 / OSH

“Ndalojeni alkoolin për të mitur në lokale”, reagon Fitore Pacolli

IndekOnline ka raportuar gjatë ditës së sotme se ka pasur kërkesa nga qytetarët e Kosovës që Qeveria të marrë masa dhe të bëjë trysni tek lokalet e gastronomisë që të ndalojnë shërbimin e alkoolit për të miturit.

“Nën moshën 18 vjeçare në market s’mundeni të blini alkool.  Kurse, në kafiteri mundesh me ble s’ka asnjë problem? Ndalojeni alkoolin për të mitur…”, ishte kërkesa e disa qytetarëve në rrjetet sociale.

Për këtë ka reaguar menjëherë kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacolli.

Ajo në një prononcim për IndekOnline ka thënë se ky komision ka filluar punën në draftimin e PL për rregullimin e pijeve energjike dhe pijeve freskuese me sheqer të shtuar për të miturit.

“Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim  ka filluar punën në draftimin e PL për rregullimin e pijeve energjike dhe pijeve freskuese me sheqer të shtuar për të miturit. Ndërsa sa i përket pijeve alkoolike me Iigj ndalohet shërbimi/ofrimi i këtyre pijeve për persona nën moshën 18 vjeç. LIGJI Nr. 06/L-034 PËR MBROJTJEN E KONSUMATORIT, Neni 15

Mbrojtja e posaçme për te miturit

1. Ndalohet shitja, shërbimi dhe dhurimi i pijeve alkoolike dhe duhanit, personave nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare”, tha ajo.

Ndryshe, dje Qeveria e Republikës ka marrë vendim  që lokalet e gastronomisë të furnizohen me ujë nga ujësjellësi publik dhe të shërbejnë ujë nga çezma./IndeksOnline/