75 Mall Live Search
14:27 / E Martë, 07 Tetor 2025 / Z S

Ndarja e 100 eurove nga qeveria, Cakolli: Përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

Sot Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për studentët.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se qeveria të cilën ai udhëheq, e ka për bazë interesin e qytetarëve dhe se rritjen ekonomike e ndan me qytetarët.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas Cakollit, ky vendim përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

Postimi i plotë:

Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për weverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë.

Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral.

Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos te grupet e ndjeshme si studentët./Indeksonline/