11:27 / E Shtunë, 02 Prill 2022 / A. M.

Ndërhyn komuna, ndeshja mes Prishtinës dhe Llapit luhet në “Fadil Vokrri”

Prishtina dhe Llapi do të përballen në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 14:00.

Ndryshe, ky ballafaqim nuk dihej se në cilin stadium do të zhvillohej, pasi Federata e Futbollit e Kosovës, nuk kishte specifikuar vendin se ku do luhej kjo përballje, teksa edhe Prishtina njashtu nuk kishte dhënë detaje.

Kjo përballje u vendos të luhej në stadiumin “Fadil Vokrri” pas ndërhyrjes së komunës së Prishtinës.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Sportit në komunën e Prishtinës, Granit Rugova.

Rugova ka thënë se sot janë takuar me zyrtarë të FC Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës dhe janë dakorduar që kjo ndeshje të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Sot, se bashku me kryetarin Përparim Rama takuam zyrtarë nga KF Prishtina dhe Federata e Futbollit e Kosovës, dhe u dakorduam që ndeshja në mes KF Prishtinës dhe KF Llapi, të zhvillohet në Stadiumin e Qytetit “Fadil Vokrri”, ka shkruar Rugova.

Kujtojmë, Prishtina takimet e fundit nuk i ka luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, për shkak të ndeshjeve të kombëtares së Kosovës dhe ishte e paqartë se ku do të luhej ky ballafaqim.