75 Mall Live Search
11:11 / E Enjte, 08 Janar 2026 / P M

​Ndërpritet operimi i impiantit për trajtimin e ujit të pijshëm, në Mitrovicë

Rritja e nivelit të turbullirave në burimet e ujit kanë shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të operimit të impiantit për trajtimin e ujit të pijshëm, ka njoftuar KRU “Mitrovica”.

Sipas njoftimit të KRU “Mitrovica” kushtet teknike e kanë bërë të pamundur trajtimin dhe shpërndarjen e ujit sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijshëm.

“Ju njoftojmë se, si pasojë e rritjes së nivelit të lartë të turbiditetit (turbullirës) në burimet e ujit, është bërë ndërprerja e përkohshme e operimit të impiantit për trajtimin e ujit të pijshëm.

Këto kushte teknike e bëjnë të pamundur trajtimin dhe shpërndarjen e ujit sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijshëm. Ekipet tona teknike janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të rifillojnë operimin e impiantit menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbiditetit.

KRU “Mitrovica” Sh.A. do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për çdo zhvillim apo risi lidhur me gjendjen e furnizimit me ujë”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.

Qyteti i Mitrovicës tashmë disa ditë është duke u përballur me vërshime dhe më pas dhe telashe në ujin e pijshëm për shkak të reshjeve të dendura që ranë ditëve të fundit në vend.

Përveç, Mitrovicës qytetet e tjera të prekura nga vërshimet janë edhe Gjakova, Drenasi, Malisheva, Juniku, Rahoveci, Klina, Vushtrria, Skenderaj.