75 Mall Live Search
18:34 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / F.R

Ndërpritet qarkullimi i autobusëve Prishtinë- Podujevë/ Shoqata e Transportuesve reagon pas masave ndëshkuese

Pas një aksioni të ndërmarrë sot nga Inspektorati Komunal i Prishtinës, të gjitha kompanitë turistike që operojnë në linjën Podujevë–Prishtinë janë përballur me masa të ashpra ndëshkuese. Gjatë këtij inspektimi, kompanive u janë konfiskuar tabelat e autobusëve dhe secila është gjobitur me nga 500 euro, duke pamundësuar vazhdimin e aktivitetit të tyre.

Si pasojë, Shoqata e Transportuesve ka pezulluar veprimtarinë e tyre të përditshme, duke e cilësuar këtë ndërprerje si të pavullnetshme dhe të diktuar nga veprimet e Komunës së Prishtinës.

Transportuesit theksojnë se kanë ndjekur e kanë respektuar rendin e qarkullimit të dhënë nga Ministria e Infrastrukturës, e cila, sipas tyre, u garanton të drejtën për të operuar nëpër rrugët e zakonshme, përfshirë edhe kthimin përmes zonës te Xhamia e Llapit, e cila është bërë objekt kontestimi nga autoritetet komunale.

Po ashtu, Shoqata ka bërë thirrje publike për protestë, duke njoftuar se:

“Të martën, më 19 gusht 2025, në ora 08:00, bëhet nisja për në Prishtinë nga Podujeva. Ftojmë të gjithë udhëtarët e Llapit që të na bashkangjiten në protestën para Komunës së Prishtinës, për shkak të rikthimit të ndalesës te Xhamia e Llapit. Transporti për të gjithë udhëtarët është falas (gratis).”

Kjo situatë ka shkaktuar jo vetëm bllokim të qarkullimit për qindra udhëtarë nga Podujeva, por edhe pakënaqësi të thellë mes operatorëve të transportit, të cilët ndihen të diskriminuar dhe të pambrojtur përkundër se kanë vepruar sipas autorizimeve zyrtare./IndeksOnline/