Ndërron jetë analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz
Me dhimbje është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të analistit dhe publicistit të njohur nga Shkupi, Agim Jonuz, një prej figurave më të spikatura të opinionit publik në Maqedoninë e Veriut.
Burime familjare kanë bërë të ditur se Jonuz ndërroi jetë pas një sëmundjeje të shkurtër, pas disa ditësh qëndrimi në spital.
Agim Jonuz njihej për analizat e tij të mprehta dhe komentet e drejtpërdrejta për zhvillimet politike, shoqërore dhe ndëretnike në vend. Ai ishte shpesh pjesë e debateve televizive, duke u vlerësuar për qasjen e tij të hapur dhe argumentimin e guximshëm.
Gjatë karrierës së tij, Jonuz kishte ushtruar edhe funksione publike, përfshirë atë të zëdhënësit të Qeverisë, si dhe ishte aktiv në fushën e gazetarisë dhe publicistikës.
Lajmi për vdekjen e tij ka prekur shumë kolegë, gazetarë dhe figura publike, të cilët kanë shprehur ngushëllime të thella për familjen dhe të afërmit e tij, duke e cilësuar Jonuzin si “një zë të veçantë që do t’i mungojë medias dhe debatit publik”.
Ceremonia e varrimit pritet të mbahet nesër në varrezat e Butelit në Shkup.

