Ndërron jetë gruaja që u godit nga vetura në Prishtinë
Indeksonline ka raportuar më herët për një aksident të ndodhur në Rrugën C, ku një grua u godit nga një veturë.
Rasti u konfirmua edhe nga zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “C” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësore dhe një automjet.
Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut” ka thënë Ahmeti për Indeksonline.
Pak çaste më parë Ahmeti po ashtu konfirmoi se viktima në fjalë nuk u ka bërë ballë plagëve të marra.
56 vjeçarja, D.G., ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Rreth orës 20:00, nga QKUK, jemi njoftuar se këmbësorja: D.G (femër) 56 vjeç, nuk ka arritë të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe e njëjta ka vdekur. Lidhur me këtë rast, hetuesit policorë të njësitit të trafikut kanë nisë një hetim ndërkohë që është arrestuar ngasësi i automjetit” tha Ahmeti për Indeksonline.