10:42 / E Enjte, 30 Mars 2023 / MSH

Ndërtimet e rrugëve Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Gjilan, deklarohet ministri Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë për media ka dhënë detaje mbi projektet e ndërtimit të rrugëve Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Gjilan.

Aliu ka thënë se projekti Prishtinë-Pejë ka ndryshuar nga ai që ka qenë, pasi sipas tij “ai fillestar ka qenë me devijime të shumta”.

“Do të kemi konferencë për media sërish së shpejti për detajet e këtyre dy projekteve se deri ku kanë avancu dhe për projekte të reja që jemi në zhvillim e sipër gjatë këtyre muajve deri sa të fillojë sezona e ndërtimit, në mënyrë që të kryhen të gjitha procedurat e prokurimit. Për të dyja projektet jemi në procedurë të prokurimit, gjithçka është duke shku në rregull dhe sipas kohës” ka thënë Aliu, raporton Indeksonline.

“Sa i përket autostradës Prishtinë-Gjilan, jemi duke punuar me intensitet të shtuar këtë vit. Mendoj që gjatë këtij viti do të arrijmë bukur shumë, se nuk premtoj që do ta përfundojmë këtë vit. Planin e kemi mbase që vitin tjetër të përfundojë. Por përpjekje jemi duke bërë që sa më shpejt ta realizojmë. Sa i përket segmentit deri në Dheun e Bardhë, me të arriturat dhe përfundimet të pjesës së autostradës deri në Gjilan, do të vazhdojmë menjëherë me projektin, me procedurë dhe realizim deri atje” shtoi Aliu.

Sipas të parit të MMPHI-së, prioritet i Qeverisë dhe me shumë rëndësi është edhe rregullimi i rrugës deri në Bujanoc.

“Krahas projekteve tjera që kanë të bëjnë me kyçjet nëpër korridore, sikur ai i Durrësit, edhe projekti që e lidhë Prishtinën me Bujanoc është projekt i rëndësisë së veçantë.”

Ai ka folur edhe për strategjinë për menagjimin e deponive të mbeturinave, sidomos atyre të ndërtimit.

“Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e mbeturinave deponohen jashtë deponive regjionale. Kjo është gjendja me të cilën jemi duke u marrë seriozisht” ka shtuar Aliu./Indeksonline/