22:39 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ndërtimi i “Rrugës së Paqes”, Lekaj: Serbia të përcaktohet nga do t’ia mbaj

Ministrja serbe e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrasturkturës, Zorana Mihajllovic ka paralajmëruar ndërtimin e një autostrade në drejtim të Kosovës Nish-Merdarë-Prishtinë të quajtur “Rruga e Paqës”.

Ajo ka thënë se për projektin në fjalë nga Nishi në Plloçnik do të shpenzohen 212 milionë euro, në bashkëpunim me Bankën për Investime Evropiane, shkruan Indeksonline.

Lidhur me këtë, ministri kosovar i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se Serbia duhet të përcaktohet se nga e ka synim t’ia mbajë.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend për deklarata të dyfishta, pasi dikush nga atje (Serbia) lëshon mesazhe se si nuk dëshirojnë ta pranojnë Kosovën e pastaj të tjerë që dëshirojnë të ndërtojnë rrugë të paqes.

“E sa i përket anës tonë, po ne jemi angazhuar çdo herë që më Serbinë të normalizohen marrëdhëniet dhe të kemi komunikim si me çdo fqinjë tjetër. Edhe investimet në infrastrukturë hyjnë në këtë mes. Komunikimi ndërmjet shteteve dhe qytetarëve të tyre duhet të përshpejtohet, e kjo arrihet duke zhvilluar infrastrukturën rrugore”, shpjegoi Lekaj.

Ndërsa sa i takon Kosovës, rruga nga Prishtina deri në Merdare, Lekaj tha se do të fillojë se punuari vitin e ardhshëm dhe nëse nuk do të dalin pengesa të mëdha, përsa i takon shpronësimit dhe të tjera probleme eventuale, ajo mund të përfundojë në rastin më të vonshëm në fund të 2019.

“Kështu do të lidhemi me të gjitha korridoret, ashtu siç jemi lidhur tashmë me Shqipërinë, e në fund të 2018 me Maqedoninë do të jetë gati, ashtu do të jemi në angazhime që të përfundojë edhe kjo me Serbinë dhe me Malin e Zi po ashtu. Investime në zhvillim ekonomik, nënkupton me pak nacionalizëm e etje për konflikte. Ne duhet të komunikojmë ndërmjet vete për të mos i lënë hapësirë ideve për ta sunduar dikush dikë në rajonin tonë”, ka përfunduar Lekaj. /Indeksonline/