75 Mall Live Search
12:58 / E Martë, 21 Tetor 2025 / P M

Ndihmësja e kongresmenit amerikan i jep fund jetës duke u djegur me benzinë, akuzohen për lidhje jashtëmartesore

Një skandal i ri politik po trondit Kongresin amerikan pas vdekjes tragjike të ndihmëses së një kongresmeni republikan nga Teksasi, që dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore me shefin e saj.

Regina Aviles, 35 vjeçe, nëna e një djali tetëvjeçar, i vuri flakën vetes më 13 shtator në oborrin e shtëpisë së saj në Uvalde, duke pësuar djegie të rënda që i morën jetën një ditë më pas në spital.

Sipas burimeve të shumta që folën për “Daily Mail”, Aviles, e cila shërbente si drejtoreshë rajonale e kongresmenit Tony Gonzales që nga viti 2021, kishte nisur një lidhje romantike me ligjvënësin 43-vjeçar, i martuar dhe baba i gjashtë fëmijëve.

Zyra e Gonzales-it nuk e mohoi lidhjen, pavarësisht kërkesave të përsëritura të gazetarëve.

Policia e Uvalde konfirmoi se ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë të instaluara në shtëpinë e viktimës, ndërsa pamjet janë dërguar për ekspertizë në laboratorin kriminalistik të Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit, përcjell Periskopi.

Megjithatë, autoritetet kanë refuzuar të publikojnë thirrjen në 911, raportet policore dhe videot e incidentit, duke i kërkuar prokurorit të përgjithshëm të shtetit që të mbajë materialet të vulosura.

Ky vendim, i pazakontë për hetime të tilla, ka ngritur dyshime për ndikim politik dhe favorizim ndaj Gonzales-it, një figurë me ndikim në zonën e Uvalde-së.

Aviles, e njohur nga miqtë si “Regi”, ishte e ndarë nga bashkëshorti, Adrian Aviles, por vazhdonin të kujdeseshin së bashku për djalin e tyre të vogël.

Ajo ishte një figurë aktive në komunitet dhe shpesh shoqëronte Gonzales-in në takime publike, përfshirë vizitën e profilit të lartë të Elon Musk-ut në kufirin SHBA-Meksikë në shtator 2023.

Një burim i afërt me familjen tha se bashkëshorti i saj kishte zbuluar lidhjen me Gonzales-in disa muaj para vdekjes, gjë që kishte çuar në ndarjen e çiftit./tch