16:54 / E Mërkurë, 05 Gusht 2020 / indeksADMonline

Ndoti lumin, kompania në Skenderaj gjobitet me 500 euro

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, përmes një postimi të bërë në FB ka bërë të ditur se një kompani është gjobitur me 500 euro për shkak se ka ndotur lumin “Klina”.

Ky është postimi i tij:

Pas ankesave të shumta që kemi marrë nga banorët dhe nga asambleistët e komunës sonë, lidhur me ndotjen e lumit “Klina”, si pasojë e shkarkimit të substancave të rrezikshme nga operatori i caktuar ekonomik, inspektorët e komunës sonë, kanë inspektuar biznesin dhe konformë legjislacionit në fuqi dhe kompetencave ligjore kanë gjobitur me 500 euro.

Njëkohësisht, duke marrë parasysh faktin që shkelja është e rëndë inspektorët komunal kanë kërkuar nga inspektorët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit që konform ligjit të ujërave, të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj operatorit në fjalë.

Të gjithë qytetarët e komunës sonë janë dëshmitar për gjendjen në të cilën ka qenë dhe tani gjendet ky lum, andaj nuk do të lejojmë ndotjen e lumit dhe mbytjen e gjallesave ujore.