75 Mall Live Search
08:01 / E Premte, 01 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Ndotja e ajrit rrit 15% rrezikun për sëmundje malinje, 175 persona të prekur nga kanceri i mushkërive, në Kosovë

Që nga fillmi i muajit 2019 deri në shtator 175 persona janë diagnostikuar me kancer mushkërish në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike të Kosovës.

Ndërsa, gjatë vetëm gjatë vitit 2018 janë evidentuar gjithsej 210 raste me kancer mushkërish të të gjitha formave, shkruan Indeksonline.

Këtë e ka bërë të ditur për Indeksonlinen drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

E një prej shkaktarëve të shfaqjes së kësaj sëmundjeje të rëndë po del të jetë edhe ndotja e ajrit.

Sipas OBSH-së, 25 për qind e sëmundjeve të zemrës, 24 për qind e sulmeve në tru dhe 43 për qind e sëmundjeve të mushkërive dhe kancerit në mushkëri mund t’i “përshkruhen ndotjes së ajrit”.

Kurtishi, për Indeksonline ka thënë se ndotja e ajrit rrit 10 deri në 15 për qind rrezikun për sëmundje malinje.

“Ndotja ndikon shumë në shfaqjen e sëmundjeve malinje e sidomos të mushkërive, gati deri 10 -15 % e rrit riskun për sëmundje malinje, bashkë me konsumimin e duhanit.

Kanceri i mushkërive trajtohet në Klinikën tonë në tq gjitha stadet e sëmundjes dhe me të gjitha forma e mjekimit bashkohor sipas protokoleve ndërkombëtare, duke filluar nga kemioterapia, radioterapia.

Ndërkaq  mjekimi kirurgjikal bëhet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale”, ka thënë Kurtishi për Indeksonline.

Ndryshe, Prishtina gjatë vitit të kaluar i ka prirë listës si vendi i parë me ajrin më të ndotur në botë.

Ndërsa, ende pa hyrë në stinën e dimrit, sipas matjeve të fundit të cilësisë së ajrit nga matësit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, cilësia e ajrit del të jetë 172, e nga matjet e ditëve të fundit, Kosova është në mesin e 10 shteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Në bazë të të dhënave mosha më e prekur me sëmundjen e kancerit të mushkërive është ndërmjet 50-60 vjeç, kurse dominon gjinia mashkullore./Indeksonline/