10:38 / E Martë, 23 Korrik 2019 / indeksADMonline

Ndryshe nga ambasadori Kosnett, ministri Bytyqi thotë se do ti mbështesim universitetet që nuk u akredituan nga KSHC-ja

Këshilli Shtetëror për Cilësi (KShC), ditë më parë mori vendim që të mos i akreditojë tri universitete publike.

Këtë vendim e kishte përkrahur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Të vështirë, por të saktë e kishte quajtur ambasadori vendimin e Agjensisë së Akreditimit në Kosovë.

Por, ndryshe nga ai po mendon ministri i arsimit, Shyqyri Bytyqi.

Ai ka thënë se do t’i mbështesin këto universitete, pavarësisht vendimit.

“Ne si ministri e kemi marrë javën e kaluar raportin dhe vlerësimet që janë bërë nga ekspertët e jashtëm. Jemi duke i analizuar edhe si Kabinet edhe si Ministri. Në asnjë moment jo për të ndërhyrë politikisht, sepse nuk kemi të drejtë, por për të parë se ku janë ato të meta që ekzistojnë në këto universitete, të gjeturat që kanë dalë nga raporti, në mënyrë që të marrim masa dhe të bisedojmë me menaxhmentin, por edhe me qeverinë nëse ka nevojë të kemi përkrahje shtesë që këto të meta që ekzistojnë në këto institucione të eliminohen”, thotë ai.

Megjithatë, ministri Bytyqi thotë se KShC-ja është agjenci e pavarur dhe se janë të obliguar të respektojnë vendimet e saj.

Thotë se përgjegjësia për mosakreditim bie mbi menaxhmentet e universiteteve gjegjëse, ndërsa thotë se punë e Ministrisë dhe Qeverisë është t’u ofrohet ndihmë, nëse ato kërkojnë një gjë të tillë, raporton EO.

“KShC-ja është agjenci e pavarur dhe merr vendime të pavarura dhe ne jemi të obliguar që këto vendime t’i respektojmë. Megjithatë ajo çka duhet të bëjmë tani, universitetet edhe Ministria patjetër, por edhe Qeveria e Kosovës duhet t’i ndjekin rrugët e tyre ligjore për të parë që kanë qenë vendime të drejta”.

“Por, duhet të kemi një lloj kombinimi, secili ta kryen obligimin e vet, rolin kryesor e kanë menaxhmentet e universiteteve që t’i eliminojnë të gjitha të gjeturat, ne t’i përkrahim nëse është e nevojshme, ndërsa KShC-ja merr vendime të veta të pavarura. Me i përkrahë financiarisht apo në çfarëdo forme nëse është e nevojshme për t’i plotësuar këto kushte apo këto kritere të cilat kanë qenë të paplotësuar sipas vlerësimeve që kanë bërë ekspertët”, ka thënë Bytyqi.