75 Mall Live Search
15:23 / E Premte, 02 Prill 2021 / k.v

Ndryshimi i ligjit për zgjedhjet/ Vjen reagimi i parë nga KDI: Është i gabuar për disa arsye

Iniciativa urgjente e Lëvizjës Vetëvendosje për të ndryshuar apo plotësuar legjislacionin zgjedhor po kritikohet nga përfaqësues të OJQ-ve. Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se në këtë momentum politik, çfarëdo iniciative për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit zgjedhor, pavarësisht përmbajtjes, është e gabuar për të paktën dy arsye.

Në radhë të parë, sipas tij, kjo iniciativë aty-për-aty, po bëhet pa konsultim me opozitën, në kundërshtim me parimin e gjithëpërfshirjes dhe transprencës – që duhet domosdo ta shoqërojnë procesin e reformës.

Ndërsa së dyti, kjo iniciativë, edhe nëse nuk ka fare lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare (si formë presioni), sipas Cakollit është sërish në kundërshtim me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, të Komisionit të Venecias. Ky i fundit, parasheh që elementet themelore të sistemit zgjedhor, veçanërisht ato që mund të kenë ndikim përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve, nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, ose si ndryshime, duhet të parashihen në Kushtetutë apo ligje të një niveli më të lartë se ligjet e zakonshme. E Kosova domosdo të ketë zgjedhje të rregullta të nivelit lokal në vjeshtë të këtij viti.

“Kosova ka nevojë për reformim përmbajtësor e teknik të sistemit zgjedhor, por jo me iniciativa të parcializuara që adresojnë secila elemente të caktuara. Mbi të gjitha, reformimi i sistemit zgjedhor duhet të reflektojë një konsensus më të gjerë politik”, ka thënë Cakolli./IndeksOnline/