14:42 / E Hënë, 08 Maj 2023 / AR

Ndryshojnë rolet! Brad Pitt do të jetë pilot në “Formula 1”

Aktori i famshëm Brad Pitt së shpejti do të hyjë në kabinën e një makine të vërtetë garash për filmin e tij të ardhshëm për “Formula 1”. Ky film do ketë regjisor Joseph Kosinski dhe producent Jerry Bruckheimer.

Gjatë një paneli rreth filmit ende të pa titulluar për garën automobilistike, Kosinski dhe Bruckheimer zbuluan detaje rreth prodhimit të filmit nga “Apple Studios”.

Një nga producentët do të jetë edhe shtatë herë kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, raporton Variety. Xhirimet do të zhvillohen në Silverstone, qarku ku zhvillohet Çmimi i Madh i Britanisë.

Moderatori i panelit, Will Buxton, ka theksuar se ekipi i filmit kishte krijuar “kamerën më të vogël 6K të krijuar ndonjëherë për t’i futur shikuesit brenda kabinës”, ku yjet e filmit do të ngasin makina të vërteta garash.

Kjo është e vërtetë. Brad Pitt do të drejtojë një bolid të Formula 1 nga Silverstone e tutje”, ka shtuar ai.

Lajmin e ka konfirmuar ESPN F1 përmes një postimi në Twitter, ndërsa Variety ka mësuar se Pitt nuk do të garojë kundër pilotëve të tjerë në pistë dhe ka shumë të ngjarë të drejtojë një version të modifikuar të një makine të vogël F2 ose F3.