“Në 2014-n një Bitcoin kushtonte 300 dollarë”, ekspertët tregojnë si mund t’i blesh në ditët e sotme

Prej disa kohësh monedhat digjitale kanë arritur vlera marramendëse dhe shumë persona kanë filluar që të merren me crypto valutën. Miliona njerëz kanë investuar në monedha digjitale dhe mundohen që të sigurojnë fitime maksimale nga këto investime të tilla.
Kryefjala e këtyre tregjeve është Bitcoin, e cila në treg ka kapur vlerën e 50 mijë dollarëve. Por nuk është e vetmja, pasi është edhe Etherum që po njeh rritje të madhe.
Por si përdoren këto monedha dhe si ndikojnë në jetën ekonomike të vendeve? Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku pati shumë të ftuar.
Ekspertët në studio zbuluan se crypto valuta është përdorur edhe në tregun e zi, për të blerë armë ose lëndë narkotike sepse është më e vështirë ta gjurmosh personin.
Investitori në monedhat digjitale, Fation Ceka, ka shpjeguar si mund të blesh një monedhë digjitale. “Hap një account, transferon paratë, është shumë e lehtë të blesh. Duhet të gjenden exchange që operojnë në Shqipëri. Që të keni Bitcoin duhet të keni një aset financiar (psh. euro, dollarë etj) për të bërë këmbimin. Është ruajtës i vlerës dh mjet këmbimi”, tha ai.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj, shprehet se “Bitcoin është një monedhë, vetëm digjitale. Është një mjet shkëmbimi dhe transaksioni, përdorimi i tij është ekskluzivisht vetëm online”.
Sipas tij, që të jesh i suksesshëm në këtë fushë nuk duhet të jesh ekonomist, mund ta bëjë kushdo, mjafton të bëjë kërkimet e duhura dhe të ketë informacion.
Vjoldi shtoi se, “funksionon si bursa, sa më shumë të rritet kërkesa aq më shumë rritet vlera”.
Nga ana tjetër, eksperti i crypto valutave, Dorian Kane, zbuloi që i bleu në fillim këto monedha digjitale nëpërmjet disa njerëzve të tjerë. “Është njësoj si të blesh produkt. Atëherë kam blerë një pjesë të Bitcoin, 25 dollarë sepse një Bitcoin në vitin 2014 kushtonte 300 dollarë“.