Në 2019 familjet shqiptare shpenzuan më tepër për luks, më pak për ushqime

Familjet shqiptare zgjodhën që në vitin 2019 të shpenzojnë më shumë para për pushime dhe veshje, duke reduktuar shpenzimet për ushqime. Ndërkohë, sa i përket shpenzimeve mesatare sipas qarqeve, Tirana e Korça kryesojnë listën duke lënë në fund Elbasanin e Dibrën.
Shpenzimet mesatare për familjet shqiptare janë rritur në 82 mijë lekë në muaj, nga 77 mijë e 800 që ishin në vitin 2018. Anketa e buxhetit të familjeve zbulon se shqiptarët gjatë vitit 2019 zgjodhën të shpenzojnë për pushime dhe veshje, ndërsa reduktuan shpenzimet për shportën ushqimore.
Konkretisht, rritja më e madhe vihet re në zërin e argëtimit, mbi 50%, si dhe në veshje apo pije alkoolike e duhan, ndërsa pesha tek ushqimet në shpenzimet mujore të shqiptarëve ka rënë lehtë, nga rreth 44%, në rreth 41% në vitin 2019. Me rënie kanë shkuar edhe shpenzimet për transportin, çka mund të përkthehet në reduktim të përdorimit të mjeteve personale duke kursyer për karburant, riparim apo edhe bileta.
Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2019, shpenzimet mesatare mujore për konsum për 771 600 familje rezultojnë të jenë 63,5 miliardë lekë.
Sa i përket shpenzimeve për familje sipas qarqeve, Tirana dhe Korça kishin shpenzimet më të larta vitin që lamë pas. Korça, madje doli mbi Durrësin, për nivelin e lartë të jetesës, kjo pasi qarku pranë Adriatikut mori goditjen e rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndërkohë, anketa zbulon se rajonet që kishin shpenzimet më të ulëta në vend, ishin Kukësi, Elbasani e Dibra.
Buxheti mujor i familjeve
Shpenzimet 2018 Shpenzimet 2019 Rritja mesatare
77.864 lekë 82.235 lekë 4371 lekë (+5.6 %)
Grupet e konsumit
Viti 2018 (lekë) 2019 (lekë) Diferenca (%)
Argëtim dhe kulturë 2.038 3.077 +54.3
Veshje dhe këpucë 3.263 4.289 +31.5
Alkool dhe duhan 2.644 3.077 +16.4
Transport 5.153 4.871 -5.5
Ushqime 34.837 33.952 -2.5
Shpenzimet mesatare 77.864 82.235 100 %