14:52 / E Enjte, 11 Janar 2018 / indeksADMonline

Në 34 vjetorin e rënies nderohen Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Në 34 vjetorin e rënies së dëshmorëve, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi i shoqëruar nga përfaqësuesit e këtij universiteti, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.

Me këtë rast është thënë se të gjithë përulemi me nderimin më të madh para atyre që me sakrificën e tyre sublime bënë të mundur që ne sot t’i nderojnë ata në liri.

Rexhep Mala e Nuhi Berisha shquhen ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare. Rexhepi e Nuhiu vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.

Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë, 34 vjet më parë.