Opinion nga Artan Shyti: Ne 4%, Kosova 30%
Nga: Artan Shyti
Këto janë përqindjet e fitimit përpara tatimit që mund të jepen respektivisht në Shqipëri dhe në Kosovë për mbështetjen e sportit nga biznesi. Që do të thotë; Kosova 7-8 herë më shumë se Shqipëria. Praktikisht, mund të themi se Kosova e vlerëson sportin 8 herë më shumë se ne. Dhe, po të krahasosh edhe financimin publik që në Kosovë është 12 herë më i madh se në Shqipëri, atëherë është e qartë se në çfarë “derexheje” ndodhemi, në raport me një tjetër vend shqiptarësh, por më të varfër e më të vogël se ne… Dhe pasojat janë evidente.
Një rast konkret më bëri përshtypje, së fundmi. Në kampionatin e notit në Durrës më 7-8 Qershor 2019, ndër 22 klube që morën pjesë, 18 ishin nga Kosova. Nga Shqipëria vetëm 4 (!?) Gjithashtu, kronometrimi elektronik i garave u bë me pajisjen që solli Federata Kosovare, sepse ajo e Shqipërisë nuk e ka. Vini re: ne nuk e kemi, Kosova po… dhe kushton vetëm 55 mijë euro. Në këtë ballafaqim “vëllazëror” me sportin Kosovar, sporti i Shqipërisë po humbet terren dukshëm.
Veprimi i fundit i Parlamentit të Kosovës, i konfirmimit të financimit nëpërmjet sponsorizimit në nivele të “frikshme” në Kosovë, tregon se atje ata që e drejtojnë sportin dinë ta bëjnë këtë dhe, nga ana tjetër, ata që drejtojnë politikën e respektojnë realisht sportin. Dhe me siguri, perspektiva e sportit kosovar është shumë optimiste. Të paktën shumë më optimiste se këtu te ne. Ne në Shqipëri vazhdojmë të qahemi, vazhdojmë të ankohemi, vazhdojmë të presim që të na vijnë “nga qielli” ligjet, vendimet, mbështetja.
Është shumë e thjeshtë të thuash: “e ka fajin politika”. Me siguri e ka edhe ajo. Por, për shumë arsye që lidhen me përvojën personale 25-vjeçare, ngulmoj e do të vazhdoj të them se fajin për këtë trajtim skandaloz nga shteti, e ka vetë sporti. Ose, më mirë, pjesën më të rëndësishme të këtij faji e kanë ata që janë zgjedhur apo emëruar që ta drejtojnë dhe përfaqësojnë atë. Për këtë arsye, sot kur Kosova siguroi 30% sponsorizim për sportin, ata që drejtojnë në Shqipëri meritojnë pikërisht notën që është e barabartë me përqindjen e sponsorizimit në Shqipëri: Notën 4!
