15:15 / E Hënë, 22 Prill 2024 / S Z

Në ankth për Ballkanin, SHBA-ja aspiron angazhim të shtuar

Jo më larg se muajin e kaluar, inteligjenca amerikane publikoi një raport, ku tha se “Ballkani Perëndimor ka gjasa të përballet me rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike, gjatë vitit 2024”.

Raporti i Zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare të SHBA-së paralajmëroi se “udhëheqësit nacionalistë të Ballkanit ka të ngjarë t’i përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik, ndërkohë që aktorët e jashtëm i përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të ruajtur ndikimin e tyre në rajon”.

Në vazhdën e këtyre shqetësimeve, Komisioni për Çështje të Jashtme i Senatit amerikan miratoi javën e kaluar një projektligj ndërpartiak, i cili synon angazhim më të shtuar të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Njëra ndër hartuesit e projektligjit, senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara, qartazi, nuk do t’i tolerojnë përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon.

“E kam shkruar këtë projektligj duke u përqendruar te mundësia për të thelluar përkushtimin dhe investimin tonë në rajon, përmes forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik, si dhe për të vënë në pah mjetet që ka SHBA-ja për t’i dhënë përgjigje ndikimit keqdashës, korrupsionit dhe përpjekjeve tjera që synojnë t’i minojnë aspiratat demokratike të rajonit”, tha Shaheen.

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se senatorët amerikanë janë të shqetësuar për rajonin që, pas pushtimit rus të Ukrainës, “është edhe më i rëndësishëm, por edhe më pak i qëndrueshëm”.

“Kjo është arsyeja përse elementet më të rëndësishme në projektligj janë ekonomike. Kodifikimi i autoritetit të sanksioneve kundër atyre që kërcënojnë stabilitetin dhe përfshihen në sjellje korruptive, dërgon një sinjal të fortë”, thotë Joseph.

Projektligji, mes tjerash, i kushton rëndësi dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe thekson se dy vendet duhet të synojnë që menjëherë t’i zbatojnë detyrimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kur të jetë shënuar përparim i mjaftueshëm në zbatimin e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara duhet të mendojnë për nxitjen e nismave për t’i përforcuar marrëdhëniet dypalëshe me të dyja vendet”, thuhet në projektligj.

Në një pjesë të tij flitet edhe për paqëndrueshmërinë në Bosnje e Hercegovinë, si pasojë e retorikës secesioniste të udhëheqësit serb, Millorad Dodik.

Veçohen, po ashtu, edhe zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi, të mbajtura dhjetorin e kaluar, si dhe parregullsitë e evidentuara në këto procese, duke vlerësuar se ato “shkaktojnë shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë” në këtë vend.

Projektligji kërkon që të gjitha këto çështje të adresohen dhe nxit SHBA-na që t’i ndihmojë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – në përmirësimin e funksionimit të shtetit ligjor dhe në bërjen e reformave.

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë për Exposenë se projektligji i ri vjen në kohën e “ankthit të shtuar në SHBA” për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Është një paketë që synon t’i rrisë lidhjet ekonomike me rajonin, por edhe levat e SHBA-së në ndjekjen e atyre që shkaktojnë telashe në Ballkan”, sipas tij.

Projektligji i ri amerikan, krahas paralajmërimeve për ndikimin e Rusisë në Ballkan, tërheq vëmendjen edhe për “ndikimin në rritje të Kinës”./REL/